Një person ka vdekur si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit në fshatin Budrigë të komunës së Vitisë ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Policia Rajonale në Gjilan është duke hetuar rastin ndërsa dyshohet se viktima 25 vjeçar i cili mbeti i vdekur të ketë qëlluar veten aksidentalisht meqë mbante në brez një pistoletë të tipit “TT” dhe se plumbi kishte depërtuar në trup e më pas kishte plagosur edhe një person në këmbë i cili gjendej afër tij.
Rasti kishte ndodhur para një kafiterie të dielën në ora 20:55.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, kurse personi i plagosur është në trajtim në Spitalin Regjional të Gjilanit dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.
“Nga hetimet e para dyshohet se viktima shqiptar shtetas i Kosovës i lindur më 1992, është goditur në rrethana të panjohura, tani për tani, me armë zjarri dhe në rrugë e sipër për në spitalin rajonal të Gjilanit ka ndërruar jetë, kurse viktima tjetër po ashtu shqiptar shtetas i Kosovës (1968) është plagosur nga e njëjta e shtënë e armës së zjarrit, i cili është sjell në qendrën emergjente në Gjilan dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur një gëzhojë si dhe një revole e cila është konfiskuar, nga ana e Policisë së Kosovës. Ne po dyshojmë se është qëlluar aksidentalisht dhe nuk ka të bëjë me vrasje apo vetëvrasje”, i kanë thënë korrespodentit të Grupit KOHA në Gjilan zyrtarët policorë.
-
25 shtator 2017 20:09
-
Shpërndaje në: