Zhvarrosen në Fushë Kosovë eshtrat e dy viktimave, vëlla e motër – dyshohet edhe për eshtrat e vëllait të tyre të tretë

24 shtator 2017 19:05

Në Bardh të Fushë -Kosovës është bërë zhvarrosja e eshtrave të dy viktimave të luftës, vëlla e motër.

Aty po dyshohet se mund të jenë edhe mbetjet mortore të vëllait të tyre të tretë, që konsiderohet i zhdukur, raporton KTV.

Historia e familjes Berisha është më e dhimbshme se kaq.

Prillin e vitit 1999, Ibush Berisha ishte dëbuar nga shtëpia e tij në Bardh të Fushë-Kosovës, dhe si qindra-mijëra kosovarë të tjerë, po ikte në drejtim të Shqipërisë.

Në zonën kufitare ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, në orët e para të 18 prillit, vetura e tij kishte rënë në një minë të vendosur nga ushtria serbe. Fuqisë eksploduese të asaj mine, nuk i kishin mbijetuar nëna e tij, gruaja dhe tre fëmijët.

Përderisa nënën e gruan e tij i kishin varrosur në Kukës, ku ende i kanë varret, trupat e Lavdijes e Flamurit, ishin gjetur në periferi të Prishtinës e pak vite pas lufte ishin rivarrosur në varrezat ku janë aktualisht, pranë xhamisë së fshatit.

Analizat e kryera nga ekipet mjekoligjore të EULEX-it në rrobat e gjetura, kishin dhënë sinjale se edhe eshtrat e Besnikut mund të jenë aty. Pas zhvarrosjes, do të fillojnë ekzaminimet ligjore për identifikimin potencial të viktimës së tretë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme