Kronikë

Kapen në Lezhë 25 kg hashash, në pranga dy shtetas të Kosovës

Dy shtetas nga Kosova janë kapur nga policia shqiptare duke transportuar drogë në Lezhë.

Besim Gashi, 47-vjeçar dhe Sami Vatijaj, 41-vjeç janë kapur në aksionin e koduar “Deltar” me të cilin janë sekuestruar 25 kilogramë drogë të llojit marihuanë.

Nga hetimet e para policore, dyshohet se ata kishin rolin e transportuesve të drogës, që paketohej në një servis në Lezhë, transmeton gazeta “Shekulli”.

Ndalimi i tyre u bë gjatë ditës së sotme, në kryqëzim të Rriles teksa drejtonin mjetin “Volkswagen”, në brendësi të të cilit kishin modifikuar vendin e fshehjes së lëndës narkotike marihuanë.

Lënda narkotike ishte e ndarë në 19 pako të mbështjella me natriban, e cila pas peshimit rezultoi 25 kilogramë.

Gjithashtu policia ka deklaruar se po punon për të verifikuar pasuritë e dy të arrestuarve, pasi iu evidentuan dhe iu sekuestruan në total 7 automjete në pronësi të tyre, ndër to “Hammer”, “Mitsubish” etj. Mbi ta rëndon akuza për “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Po në kuadër të këtij operacioni policia evidentoi edhe trurin e trafikut, Ilir Markvukaj , 41 vjeç, banues në Lezhë. Gjithashtu u shpall në kërkim e punohet për kapjen e shtetasit D. M. 49 vjeç, banues në Lezhë, pronar i servisit ku ishte përgatitur dhe paketuar lënda narkotike.

Po në këtë servis, gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur e sekuestruar edhe 5 kg 230 gramë lëndë narkotike mariujanë.