Kronikë

12 vjet burgim për dy kosovarët që kryen 78 vjedhje në Zvicër

Kanë kryer 78 vjedhje, një grabitje dhe delikte të tjera. Dy kosovarët janë dënuar në Gjykatën e Qarkut në Wil (St.Gallen), njëri me 7 dhe tjetri me 5 vjet burgim.

Procesi gjatë javës së kaluar është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. Të akuzuarit ishin sjellë në ndërtesën e gjykatës, të lidhur me pranga në duar dhe në këmbë, shkruan tagblatt.ch.

Si pjesëtarë të një bande prej 6 vjedhësish, ata janë autorë të një serie të gjatë deliktesh, të kryera në vitet 2013 dhe 2014 në vende të ndryshme të regjionit të Zvicrës lindore. Ata kryesisht kishin sulmuar seli të kompanive dhe objekte komunale, transmeton albinfo.ch. Shpeshherë kishin vjedhur trezorë, të cilët, ose i kishin hapur në vendin e vjedhjes ose i kishin transportuar.

Vlera e gjësendeve të shtrenjta që ata kishin vjedhur arrin në disa qindra mijëra franga. Për kryerjen e delikteve, banda ka përvetësuar edhe automjete dhe tabela regjistrimi të ndryshme. Njërën nga makinat e përdorura, ata e kanë djegur në një pyll afër Sirnach-ut.

Në maj të vitit 2013, dy personat tashmë të dënuar, kishin hyrë dhunshëm në një shtëpi në Hinterthurgau. Me atë rast i kishin lidhur me rripa tre djem të moshës së mitur dhe kishin vjedhur një trezor, stoli dhe gjëra tjera me vlerë, përcjell albinfo.ch. Në vitin 2014 policia i kishte arrestuar tre veta nga kjo bandë në St. Gallen. Njëri ishte arratisur nga burgu në vitin 2915 ndërsa dy të tjerët janë ata që janë përgjigjur të martën para gjykatës . Të dy kanë qenë të dënuar edhe më parë dhe kanë udhëtuar ilegalisht në Zvicër për të kryer deliktet e përmendura.

Prokuroria ka vlerësuar se banda është jashtëzakonisht e stërvitur dhe “vepron profesionalisht” por në të njëjtën kohë edhe në mënyrë të pavëmendshme dhe shkatërruese.

Pas arrestimit, të dy kosovarët e kanë pranuar pjesërisht veprën e tyre dhe kjo ua ka zbutur atyre dënimin.

Të dy të dënuarit ishin shprehur se kanë vjedhur nga mungesa e parave. Njëri prej tyre, gjatë qëndrimit në burg ka lëshuar mjekrën, transmeton albinfo.ch. Sipas mbrojtësit, ai për këtë arsye është vënë në dyshim se është ithtar i islamit radikal. Por, ai e kishte hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se ishte vetëm një mysliman besimtar. Prokurori ka kërkuar tetë vjet dhe gjashtë vjet e gjysmë burg për dy të akuzuarit ndërsa avokatët, për katër gjegjësisht tre vjet burg. Trupi gjykues vendosi për 7 dhe 5 vjet heqje lirie. Dy të dënuarit mbahen në burg që nga mesi i vitit 2014.