Supremja mban seancën e fundit të një prej rasteve më të njohura të saj, atë të minatorit

14 shtator 2017 21:03

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka mbajtur seancën e fundit për një prej rasteve më të njohura të saj.

Para gjyqtarit Werner Kannenberg, kanë qenë ish-minatori i “Trepçës”, Besnik Beqiri, dhe përfaqësuesit ligjor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton KTV.

Këta të fundit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Trepçën, kanë kontestuar juridiksionin e kësaj gjykatë për të trajtuar rastin.

Por gjyqtari Kannenberg ka theksuar se qeveria dhe Gjykata Kushtetuese kanë dhënë sugjerime lidhur me atë se si të veprohet në raste të tilla dhe ka vazhduar me seancën.
 

Pa prezencë të publikut, seanca ka vazhduar me dëshmi të mjekëve që kanë trajtuar Beqirin pas lëndimit të tij në flotacionin e Kishnicës.

E pas përfundimit të saj, avokati Sylejman Klinaku dhe Besnik Beqiri thanë se shpresojnë në një vendim në favorin e tyre.

Beqiri kishte pësuar lëndim në vendin e tij të punës në flotacionin e Kishnicës, në vitin 2013, për çka ishte kompensuar me 23 mijë euro, por përmes gjykatës, ka kërkuar kompensim shtesë shkaku i gjendjes së tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme