Kronikë

Arrestohet personi që vrau me sëpatë 81 vjeçin e plagoi me armë djalin e tij

Descriptive Text

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar shtetasin F. Ll. (1971) për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së shtetasit I.G. (1936) dhe plagosjes së shtetasit F.G.(1985).

Policia e Kosovës sot rreth orës 15:10 ka pranuar informacion se në rrugën ‘Muharrem Kelmendi’ në Pejë, kishte një incident me persona të plagosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në lokacione tjera të nevojshme. Sipas të dhënave hetimore, mësohet se i dyshuari pasi që e ka kanosur viktimën I.G., të njëjtin e ka qëlluar me sëpatë në kokë, me ç’rast viktima është transportuar me ndihmën e qytetarëve deri në Spitalin rajonal në Pejë dhe përkundër përpjekjeve të ekipit emergjent mjekësor për t’i shpëtuar jetën i njëjti ka ndërruar jetë në ora 16:04”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thotë se viktima tjetër F.G. është hasur në vendin e ngjarjes, në një pozitë gjysmë të shtrirë me një pistolete në dorë, ai kishte dy plagë nga arma e zjarrit.

“Policia e çarmatos personin dhe njofton autoambulancën e cila nga vendi i ngjarjes e transporton viktimën ne spitalin rajonal Pejë”, thuhet në njoftim.

Policia pastaj lokalizon dhe arreston personin e dyshuar nga i cili e konfiskon armen me të cilën është plagosur viktima F.G.,po ashtu ka konfiskuar mjetin (sëpatën) me i cilën është plagosur viktima I.G. (tani i vdekur)

Sipas njoftimit mjekësor gjendja shëndetësore e personit plagosur është e rëndë, por stabile. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal DRP Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit.