Kronikë

Zbulohen 211 kg kanabis në Vlorë

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Fillim Vjeshte”. Sekuestrohen 211 kg e 700 gr lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Arrestohet në flagrancë një nga autorët si edhe shpallen në kërkim dy të tjerë. Vijojnë procedurat për verifikimin dhe sekuestrimin e banesës në të cilën u gjet lënda narkotike si edhe të tjera pasuri të cilat mund të jenë përfituara nga ky aktivitet kriminal.

Strukturat e Hetimit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë , në bazë të informacioneve të siguruara për shtetasit Dilaver Pecaj, F.P., A.M., se në një banesë kanë strehuar lëndë narkotike, kanë arritur të finalizojnë me sukses operacionin e koduar “Fillim Vjeshte”.

Operacioni është zhvilluar në lagjen “Uji i Ftohtë”, në një banesë 2 katëshe, ku në një nga dhomat e kësaj banese është konstatuar dhe sekuestruar nga policia një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, me një peshë totale rreth 211 kg e 700 gramë. Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi: Dilaver Pecaj, 41 vjeç, banues në Trevllezër, Vlorë.

Gjithashtu të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë rezultuar edhe shtetasit F.P., 47 vjeç dhe A.M. 34 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim policor. Njëkohësisht po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e banesës për të cilën dyshohet se është përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.