Kronikë

Policia po punon në hapjen e rrugës së bllokuar në Llogara nga reshjet e shiut

Policia rrugore e Shqipërisë porosit të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes gjatë qarkullimit në akset rrugore për shkak të lagështirës në rrugë, çka ka vështirësuar rrjedhshmërinë e trafikut.

Si rezultat i reshjeve, është vështirësuar qarkullimi në aksin rrugor Orikum - Dukat, për shkak të rënies së dherave në rrugë. Policia thotë se po punohet për pastrimin e rrugës ndërsa për të ndihmuar lëvizjen në këtë aks, janë angazhuar dy patrulla të Policisë Rrugore.

Sa më sipër, Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë udhëtimit:

- Të ruajnë kontrollin e mjetit dhe të kryejnë manovra të sigurta

- Të qarkullojnë me shpejtësi konform segmentit rrugor dhe sinjalizimit përkatës

- Të përdorin rripat e sigurimit në mjete, kaskat mbrojtëse në motoçikleta

- Të mos përdorin aparatet celulare gjatë drejtimit të mjeteve

- Të mos përdorin pije alkoolike në rast drejtimi të mjeteve

- Të bëjnë kujdes me këmbësoret që kryejnë kapërcimin e rrugës jashtë rregullave të qarkullimit rrugor.

“Karvanet me makina të dasmorëve të respektojnë rregullat e lëvizjes, të mos parakalojnë, dasmorët të mos dalin nga dritaret pasi bëhen burim aksidenti”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Shtetit, raporton Koha.net.

Për shkelësit e normave të sjelljes gjatë drejtimit të automjetit, Policia Rrugore do të marrë masat administrative maksimale ndaj tyre.

Policia Rrugore është në detyrë me patrulla dhe shërbime të përforcuara për të ndihmuar në kthimin e sigurt të drejtuesve të mjeteve, për të normalizuar trafikun, për t'ju ardhur në ndihmë në rast nevoje, për të parandaluar aksidentet, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

{gallery}