Kronikë

KTV sjell të gjitha ato që ndodhen rreth mbytjes së të porsalindurës në Letnicë

Një ngjarje e rënd ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në fshatin Letnicë të Vitisë, raporton KTV.

I ati dyshohet se ka mbytur foshnjën e tij të porsalindur, duke e mbështjellë me batanije për ta hedhur në përroskën skaj shtëpisë.

Policia e Kosovës e ka arrestuar të atin e foshnjës, derisa, sipas tyre, e ëma e kishte lënë foshnjën nën përkujdesje të tij, e i cili dyshohet se e ka mbytur më pas.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari, pas intervistimit, është dërguar në paraburgim për 30 ditë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës-foshnjës, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ndërkohë, mjeku në Emergjencën e Mjekësisë Familjare në Viti, i cili e kishte pranuar të ëmën e foshnjës, thotë se pas trajtimit që ka marrë në këtë qendër lehonës i ishte stabilizuar gjendja.

Ai shton se lehona ishte paraqitur në ambulancë, duke thënë se ka lindur tri orë më parë, duke iu treguar se kishte lindur një foshnjë të gjinisë femër, por që nuk e dinte se ku ndodhej.

Ekipi mjekësor, sipas mjekut, kishte shkuar në shtëpinë e familjes për ta trajtuar edhe foshnjën, por babai, tashmë i dyshuar për vrasje, kishte deklaruar se aty nuk ka asnjë foshnje dhe nuk e dinte se gruaja e tij kishte qenë shtatzënë.

Vëllai i të arrestuarit i ka thënë ekipit të KTV-së se nuk janë në dijeni për rastin, pasi nuk ndodheshin në shtëpi. Ai shton se lehona është me të meta mendore.