Kronikë

Në Kakavijë kapen 16 kg lëndë narkotike

Më datë 29.08.2017, punonjësit e Policisë Kufitare Kakavijë gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër në shtratin e lumit Drino, në drejtim të postës së vjetër Kakavijë, në vendin e quajtur “Shelgu”, kanë konstatuar 2 persona, të cilët transportonin dy çanta dore ku dyshohej se brenda tyre kishte lëndë narkotike.

Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të këtyre personave, ku u është bërë thirrje për të ndaluar.

Por të dy shtetasit duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat, njofton Policia e Shtetit.

Në brendësi të çantave kishte dy pako në formë cilindrike me lëndë narkotike si ajo e llojit Cannabis Sattiva, pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 16 kg.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër po punojnë për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetim të mëtejshëm, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.