Kronikë

Kapen armë pa leje e arrestohen të dyshuar për të shtëna

Në fshatin Lubiçevë të Prizrenit dje janë arrestuar dy shqiptarë, meqë ata pas një mosmarrëveshje me dy viktimat, njeri prej tyre ka shtënë me armë zjarri në ajër. Njësiti policor nga të dyshuarit ka konfiskuar armën – ‘Revolver Magnum’ .

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Edhe në fshatin Lubizhdë të Prizrenit dje janë arrestuar dy të dyshuar, meshkuj K-shqiptarë, pasi që gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin janë gjetur dhe konfiskuar një armë – pistoletë ‘Remigton Umo’ me një karikator me katër fishekë , dy thika dhe një shkop druri. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, transmeton Koha.net.

Ndërkaq dy ditë më parë, përkatësisht më 22 gusht në Xërxë të Rahovecit një person kishte shtënë me armë. Policia, pas raportimit ka arritur në vendin e ngjarjes ku ka arrestuar të dyshuarin, prej të cilit ka konfiskuar edhe një pistoletë. Ndërkohë, me vendim të prokurorit, pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

Më 18 gusht, sipas raportit të sotshëm të Policisë së Kosovës, një person kishte shtënë me armë në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj. Lidhur me rastin dje është arrestuar i dyshuari, një mashkull shqiptar, shtetas i Kosovës. Nga i dyshuari, siç thuhet në raport, është konfiskuar arma –pistolete M57 e cal. 7.62 mm. Me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.