Kronikë

Konfiskohen armë dhe municion në një bastisje në Mitrovicë

Hetuesit e sektorit të hetimeve, në kuadër të Stacionit Policor “Jugu” në Mitrovicë, në mbështetje të Njësisë së Reagimit të Shpejtë, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka ndërmarrë një operacion me ç’rast në zonën e Mitrovicës është realizuar një bastisje që ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e armëve dhe municionit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Bastisja është realizuar në një shtëpi private me objekte përcjellëse, ku janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë automatike, një pistoletë, dy karikatorë, 80 fishekë të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në komunikatën e Policisë, transmeton Koha.net.

Më tutje bëhet e ditur se, “armët dhe municioni janë konfiskuar si dëshmi materiale, me ç’rast është arrestuar i dyshuari N.S., 66 vjeçar i cili pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit është liruar për procedurë të rregullt”.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për vepër penale “mbajtje në pronësi, shfrytëzim, posedim i paautorizuar i armës”.