Kronikë

Vetëm sivjet, nga të shtënat në dasma janë plagosur nëntë persona

Descriptive Text

Qytetarët e Kosovës si duket s’e kanë kuptuar ende moton “Festo me zemër, jo me armë”. Kjo moto ka disa vjet që është lansuar nga Policia e Kosovës në çdo verë, stinë kjo kur bëhen dasmat.

Por të shtënat nëpër festa dhe ahengje veç sa shtohen çdo vit, madje ndonjëherë duke marrë edhe jetë njerëzish.

Këtë vit fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë rast me fatalitet nga të shtënat nëpër dasma ndonëse në një fshat të Suharekës është shënuar një rast plagosjeje.

Nga plumbat e armëve që u shkrepën nga gëzimi, pësuan me lëndime të lehta tri gra të shtëpisë.

Në Policinë e Kosovës janë raportuar vetëm dhjetë raste të gjuajtjeve me armë zjarri, dhe numri i personave të lënduar gjatë këtyre incidenteve është gjithsej nëntë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha në muajt qershor dhe korrik të këtij viti janë raportuar 10 raste e që nënkupton në rënie të rasteve të gjuajtjeve me armë zjarri në dasma dhe ahengje.

“Fatbardhësisht sivjet kemi një situatë më të mirë dhe Policia e Kosovës qoftë përmes masave preventive qoftë përmes operacioneve policore ka pasur disa raste që ka intervenuar dhe vetëm këta dy muaj kemi të raportuara respektivisht Policia ka intervenuar në 10 raste të ndryshme nëpër dasma apo ahengje të ndryshme”, tha Hoxha për KosovaPress

Nga këto dhjetë raste të regjistruara janë lënduar nëntë persona, ndërsa në këto operacione janë arrestuar 14 persona dhe janë konfiskuar 58 municione dhe 17 armë të llojeve të ndryshme.

“Bazuar në informacionet zyrtare që i kemi gjatë kësaj periudhe rreth 2 mujore pra në këto 10 intervenime kemi pasur 9 incidente të shënuara. Policia e Kosovës ka konfiskuar 58 municione, 17 armë të llojeve të ndryshme, gjithashtu personat e lënduar gjatë këtyre incidenteve kanë qenë 9, ndërsa në këto operacione nga policia e Kosovës janë arrestuar 14 persona të dyshuar për armë mbajtje pa leje apo përdorim të kundërligjshëm të armëve nëpër këto dasma apo ahengje”, tha Hoxha.

Dukuria e gjuajtjeve me armë zjarri nëpër ahengje familjare është prezente pothuajse në të gjithë rajonet e Kosovës, mirëpo sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në rajonin e Prishtinës janë raportuar rastet më të shpeshta për shtënie me armë.

Arsyen e gjuajtjes me armë në momente gëzimi e shpjegon sociologu Ferdi Kamberi.

Ai në një përgjigje elektronike për KosovaPress tha se afektin dhe traditën i sheh si faktorë të cilët i shtyjnë njerëzit që të gjuajnë me armë gjatë ahengjeve të ndryshme familjare. Sipas tij, si pasojë e këtyre traditave një gëzim familjar lehtë mund të shndërrohet në një tragjedi familjare.

Policia e Kosovës, me qëllim të reduktimit të përdorimit të armëve të zjarrit, ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i shmangen përdorimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit për arsye se armët paraqesin rrezik potencial.

Policia po ashtu njofton se të gjithë ata të cilët në mënyrë të kundërligjshme përdorin armët apo bartin ato në mënyrë të paligjshme, pa autorizim, ndaj tyre do të ndermirën të gjitha masat e nevojshme ligjore për kompletim dhe procedim të këtyre rasteve tek organet kompetente të drejtësisë.