Kronikë

Varrosen katër viktimat e aksidentit në Lakrishte

Në varrezat e Pozheranit të Komunës së Vitisë, në praninë e familjarëve dhe qindra qytetarëve, iu është dhënë lamtumira e fundit dy vëllezërve Enver Alidema dhe Ekrem Alidema dhe dy bashkëshorteve të tyre Nexharije Lutfiu -Alidema dhe Ganimete Iberhysaj-Alidema që humbën jetën në një ngjarje të rëndë.

Me rite fetare, mes lotësh dhe fjalëve, familjarët i dhanë lamtumirën e fundit më të dashurve të tyre duke uruar që një tragjedi e tillë të mos përsëritet kurrë më, raporton televizioni publik.

Familja Alidema ka falënderuar të gjithë të pranishmit për solidaritetin dhe mbështetjen që i kanë dhënë atyre në fatkeqësinë që u ndodhi.

Dy meshkuj dhe dy femra kanë vdekur në aksidentin e pasmesnatës në kryeqytet, saktësisht në urën në Lakrishte, në hyrje të Prishtinës.

Aksidenti kishte ndodhur pasi vetura e tipit “Audi” me targa gjermane kishte kaluar rrethrrotullimin dhe kishte rënë poshtë tij. Shpejtësia është konstatuar si shkaktar i këtij aksidenti tragjik.