Kronikë

Policia në Vlorë kap mbi 200 kg drogë

Policia Vlorës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Delta Forcën, kanë realizuar një aksion anti-drogë ku janë përdorur edhe qentë antidrogë të Policisë.

Gjatë kontrollit të territorit, Policia ka evidentuar 21 thasë të mbushur me bimë narkotike, Cannabis Sattiva, boçe, kërcell e gjethe të thata si dhe mbetje të bimëve narkotike, me peshë totale rreth 210 kilogramë.

Lënda narkotike u gjet e hedhur në ujë të ndenjur në shtratin e Lumit Shushicë.

Në kuadër të planeve të masave që Drejtoria e Policisë Vendore Vlorë ka marrë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, duke u nisur edhe nga komunikimi i bërë nga Drejtori i Policisë Vendore Vlorë së bashku me Prefekten e Qarkut Vlorë, me banorët e zonës gjatë një takimi sensibilizues një ditë më parë, strukturat e Policisë kanë vazhduar kontrollet në mënyrë më të imtësishme në zonën e Shushicës.

“Me urdhër të Prokurorit nga e gjithë sasia e lëndës narkotike të gjetur u mor në cilësinë e provës materiale për ekzaminime laboratorike rreth 30 kilogramë. Ndërsa pjesa tjetër nuk i plotësonte kushtet për marrjen në cilësinë e provës materiale, ku me porosi të Prokurorit, grupi hetimor kreu veprimet e mëtejshme në vendngjarje”, thuhet në një njoftimin e Policisë së Shtetit, raporton Koha.net.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e zonës janë gjendur disa vatra zjarri duke u djegur lëndë narkotike Cannabis Sattiva.

Policia po punon për zbulimin dhe kapjen e autorëve të cilëve u përket sasia e lëndës narkotike e hedhur në ujë në shtratin e lumit Shushicë.

Materialet u referuan në Prokurori për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e Narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.