Kronikë

Goditet grupi i trafikut të drogës në Greqi, në pranga 7 shqiptarë

Policia greke ka vënë në pranga 7 shtetas shqiptarë, dhe një grek të moshës nga 21 deri në 33 vjeç, të cilët ishin pjesë e një grupi të trafikut të kanabisit.

Policia ka identifikuar edhe katër pjesëtarë të tjerë të grupit, që të gjithë shtetas shqiptarë, dy prej të cilëve aktualisht ndodhen në burgjet e Greqisë.

Mësohet se grupi që nisi aktivitetin të paktën nga prilli i këtij viti, vepronte në veri të vendit.

Ata e merrnin drogën nga Shqipëria, ku vepronin disa pjesëtarë të grupit, dhe më pas lënda narkotike trafikohej kryesisht në qytetet Kavala dhe Drama, por edhe në qytete të të tjera greke.

Gjatë arrestimit, policia sekuestroi 7.3 kilogramë kanabis, një peshore precizoni, një shumë prej 1.550 euro, si dhe 10 telefona celularë.

Më herët, ministri grek i Rendit Publik, Nikos Toskas, është shprehur se problemi kryesor i Greqisë përsa i përket trafikut të drogës, është Shqipëria dhe se vetëm në gjashtë muajt e fundit, policia greke ka kapur rreth 10 ton kanabis.