Kronikë

Bilanc tragjik në rrugët shqiptare

Dy të vdekur dhe të paktën gjashtë të plagosur, ka qenë bilanci i dy aksidenteve të ndodhura të dielën në rrugët shqiptare.

Më i rëndi është regjistruar në Blinishtit në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku nga përplasja e tre makinavce një person vdiq ndërsa 6 të tjerë u plagosën. Viktima ishte një shtetas kosovar, i cili bashkë me familjen po udhëtonte me makinën “Volkswagen Polo”, kur u godit nga një “Audi”.

Aksidenti është rënduar pasi në të u përshi edhe një “Mercedez”. Sipas policisë shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Po të dielën në afërsi të Derviçanit në rrugën Gjirokastër-Kakavijë, një i moshuar është goditur nga një automjet, i cili nuk ka ndaluar, por është larguar duke e lënë viktimën në vendngjarje.

Bilanci i këtyre ngjarjeve është rënduar edhe me një aksident që i ka ndodhur ish ministrit të financave Arben Ahmetaj në Maqedoni. Pasditen e së dielës makina e tij është përplasur me një autobuz në afërsi të Kumanovës. Zoti Ahmetaj ka marrë plagë të lehta dhe është transportuar për në spital. Bashkë me të janë transportuar edhe 14 të plagosur të tjerë.