Kronikë

Dy të akuzuar në Pejë për vrasje

Pejë, 7 korrik – Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit H.A. për vepër penale “Vrasja e rëndë” nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK-së, dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.A. për vepër penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë” nga neni 33 lidhur me nenin 179 paragrafi 1 pika 1.5 të KPRK-së dhe për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 190 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i pandehuri H.A. më 24.02.2017 rreth orës 12:00 në Pejë, me dashje privon nga jeta të ndjerin I.N. dhe vë në rrezik jetën e të dëmtuarit B.N. ashtu që pas një mosmarrëveshje në mes të të lartcekurve, i pandehuri nxjerrë një revole nga çanta e tij me të cilën shtënë në drejtim të të ndjerit dhe të dëmtuarit dhe si pasojë e kësaj ndërron jetë I.N. dhe plagoset i dëmtuari B.N. Ndërsa i pandehuri I.A. në vendin dhe kohën e përshkruar sikur më lart, me dashje fshehë provat me të cilat është kryer vepra penale, në atë mënyrë që, pas kryerjes së veprës penale të vrasjes nga i pandehuri H.A. i pandehuri I.A. merr armën me të cilën është privuar nga jeta i ndjeri I.N. dhe të njëjtën e fshehë në shtëpinë e tij e cila më pas është gjetur dhe sekuestruar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, i pandehuri I.A. me datën dhe kohën e njëjtë merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me vdekjen e të ndjerit I.N. dhe plagosjen e të dëmtuarit B.N.

Të pandehurit H.A. dhe I.A. me veprimet e tyre kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara sikur më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpall fajtorë, t’i dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë dhe të konfiskohet arma me të cilën është kryer vepra penale.