Kronikë

Aktakuzë për tentim-blerje të votës për 50 euro

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë, ka dorëzuar aktakuzë kundër të pandehurit A.S. për vepër penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit lidhur me votën” nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.S. me dt. 26.05.2017 rreth orës 15:26 minuta në fshatin Vitomericë, Komuna e Pejës, i ka premtuar dhurata personit tjetër me të drejtë vote me qëllim që të votoj partinë NDS e cila udhëhiqet nga i pandehuri, ashtu që, i njëjti përmes rrjetit social Facebook kishte dërguar mesazh personit D.S. dhe kishte kërkuar që të votohet kjo parti në këmbim me 50€ dhe do të sigurohen edhe shpenzimet e rrugës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

I pandehuri me këto veprime, duke premtuar dhënien e përfitimit prej 50€ në këmbim të votës së votuesve, ka përmbushur elementet e veprës të përshkruar sikur më lart.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtoj dhe ta dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila vihet në barë.