Kronikë

Trafikuan nga Shqipëria në Itali 35 mln euro drogë, pranga 4 bosëve shqiptarë

Policia italiane në Brindizi ka shkatërruar sot një bandë trafikantësh droge. Bëhet e ditur se banda me 14 persona përbehet nga shtetas shqiptarë dhe italianë.

Policia fqinje raporton se ata akuzohen për trafik kanabisi nga Shqipëria në Puglia. Kryesisht anëtarët e bandës e trafikonin drogë me gomone nëpërmjet detit sipas të dhënave nga Guardia di Fianaza. Mediat italiane bëjnë të ditur edhe emrat e shqiptarëve të arrestuar : Vaso Mekshi, 39 vjeç, Shefik Muho, 33 vjeç, Leonard Bufi, 36 vjeç dhe Emilian Bufi, 31 vjeç.

Ndërkohë pjesa tjetër e të arrestuarve janë qytetarë italianë, të cilët bënin edhe transportin nëpër det të lëndës narkotike. Sipas policisë, metoda e përdorur nga trafikantët për të sjellë drogën në Itali, ishte e njëjtë me atë të kontrabandimit të cigareve.

Gjatë hetimeve operacionit për muaj të tërë janë sekuestruar 3 508 kg marijuanë, me vlerë rreth 35 mln euro. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe armë, gomone dhe pajisje të ndryshme.