Kronikë

Për rrahjen e një 12 vjeçari përleshen me shufra metalike dy familje në Viti

Policia e Kosovës nga rajoni i Gjilanit ka bërë me dije se më 18 të këtij muaji, në fshatin Sllatinë e Epërme në Vitisë, ka ndodhur një rast i cilësuar si “Lëndim trupor”.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes mësohet se pas një mosmarrëveshje rreth rrahjes se një fëmije dymbëdhjetë vjeçar, të dyshuarit A.D dhe B.D kanë shkuar në shtëpinë e H.Y dhe E.Y. dhe, në fjalosje e sipër në oborrin e tyre, ka filluar kacafytja mes këtyre familjeve ku nga të dyja palët janë përdorur mjete të forta (shufra metalike), me ç’rast lëndime trupore kanë pësuar të gjithë të dyshuarit e lartshënuar, raporton Koha.net.

“Ka pasur të lënduar me këtë rast ku pas trajtimit mjekësor dhe intervistimit nga ana e policisë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të katër të dyshuarit e lartshënuar ndalohen në mbajtje në Stacionin Policor në Viti, ndërsa rasti dërgohet në Gjykatë”, ka bërë me dije Policia.