Kronikë

Pesë persona të arrestuar për prostitucion në Pejë dhe Lipjan

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar pesë persona në dy raste të ndara në Pejë dhe Lipjan.

“Në rastin e parë, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore - Sektori Qendror i Hetimeve, me të marrë informatën nga stacioni policor në Lipjan, për një person të zhdukur të gjinisë femërore të moshës 16 vjeçare, e cila dyshohej se mund të jetë viktimë e trafikimit, menjëherë ka filluar hetimin e rastit dhe me datë 14.06.2017 viktima është gjetur dhe intervistuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Nga hetimet lind dyshimi se viktima gjatë një periudhe kohore, është mbajtur nën kontroll nga ana e një të dyshuarit mashkull/kosovar/shqiptar. Ai me anë të mashtrimit, duke e shfrytëzuar edhe gjendjen e rëndë ekonomike dhe rrethanat familjare të viktimës, dyshohet se e ka shtyrë atë drejt shfrytëzimit seksual”, thuhet në njoftim.

I dyshuari me vendim te prokurorit dërgohen në mbajtje për 24 orë.

Më 19 qershor është arrestuar edhe personi i dytë, nën dyshimin e konsumimit të veprës penale: Shërbimet Seksuale të Viktimës së Trafikimit.

“I dyshuari H.H. mashkull-shqiptar-kosovar, me vendim te prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë”, thuhet në këtë njoftim të PK-së.

Në rastin e dytë, pas një pune operative hetimore në teren, më 19 qershor në Pejë, është realizuar urdhëresa e lëshuar nga gjykata kompetente, për kontroll të një lokali ku dyshohej se kryhej veprimtari e dyshuar kriminale.

Aty janë arrestuar tre të dyshuar për përfshirje në veprat penale: Mundësim ose Detyrim ne Prostitucion dhe Ofrimi i Lokaleve për Prostitucion.

Dy të dyshuarit e arrestuar në një lokal nate janë:

I.H. mashkull-kosovar-shqiptar, lindur më 1963 dhe SH.M. mashkull-kosovar-shqiptar, lindur më 1987.

Me vendim të Prokurorit të dyshuarit, dërgohen në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara E.G. femër-kosovare-shqiptare, e lindur më 1993 është dërguar në Gjykatën Themelore Divizioni për Kundërvajtje-Pejë në procedurë të shkurt.

Me vendim te Inspektoratit Komunal, lokali ku dyshohej se ushtrohej veprimtaria e ndaluar është mbyllur.