Kronikë

Gjilan, shtien me armë zjarri derisa po lëvizte me veturë

Një person, shqiptar shtetas i Kosovës (punëtor i sigurimit), ka raportuar në Policinë e Kosovës, stacioni Policor në Gjilan, se më 07.06.17, ora 01:40, derisa ishte duke kujdestaruar në objektin e “Drini Market” që gjendet në rrugën e “Kamenicës”, ka ndodhur një rast i “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”.

Ai, sipas Policisë, kishte vërejtur një veturë Golf II, besohet ngjyrë e zezë me targë 01, duke lëvizur në drejtim të qytetit dhe me të arritur përball “Drini Marketit”, kishte shkrepur me armë dhe besohet se krisma kishte ardhur nga vetura në fjalë.

“Pas gjuajtjes, vetura largohet me shpejtësi në drejtim të panjohur. Njësitet policore reaguese, si dhe njësiti i Krim-teknikës, kanë dalë në vendngjarje, ku përball “Drini Market” janë gjetur dy gëzhoja të kalibrit 7.65 mm të cilat janë konfiskuar si dëshmi materiale, ndërsa nuk është mundur të konstatohet drejtimi i predhave”, ka thënë Policia.

Njoftohet po ashtu se në këtë rast nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale.

Në lidhje me rastin është kontaktuar Prokurori për Krime të rënda, dhe rasti i dedikohet për hetime të mëtejme njësive hetuese në SP në Gjilan.