Kronikë

Simiq: Jabllanoviq nisi të ikte nga Policia, por u kap dhe iu mor arma

Foto: Koha

Sllavko Simiq, lider i Listës Serbe, ka treguar për ngjarjen e sotme ku raportohet të jetë arrestuar ish-lideri i kësaj liste, Aleksandar Jabllanoviq, që tani drejton Partinë e Serbëve të Kosovës.

Simiq thotë se sonte në Leposaviq, “Jabllanoviq ka nxjerrë dhe ka përgatitur armën dhe ka kërcënuar se do të shtijë në drejtim të aktivistëve të Listës Serbe për shkak se kanë ngjitur posterë të partisë sonë”.

“Sipas burimeve tona, Jabllanoviq e ka drejtuar armën kah aktivisti ynë dhe ka nisur t’i bërtas”, ka thënë Simiq, ndërsa ka treguar se ka intervenuar menjëherë Policia e cila ka tentuar ta arrestojë atë, por ai ka nisur të ikë.

“...megjithatë, ai është arrestuar dhe i është marrë arma”, ka shtuar ai.

Simiq ka thënë se pret dhe kërkon nga prokuroria të mos merr në mbrojtje “keqpërdorues të tillë, i cili kush e di se për të satën herë kërcënon qytetarët tanë me armë, pasi që edhe kohë më parë ai ka kërcënuar qytetarët tanë në një tubim në një lokal”.

“Prokuroria duhet të tregojë paanshmëri, dhe të ndalojë të mbrojturi keqpërdoruesit pavarësisht se cilës parti politike i takojnë. Nëse kemi institucione që mbrojnë keqpërdorues, nesër një keqpërdorues i tillë do t’ia drejtojë armën dikujt në Prishtinë, Pejë apo në Mitrovicën Veriore”, ka shtuar Simiq në këtë reagim, raporton Koha.net.

Ai ka falënderuar njësitet policore nga rajoni i Mitrovicës Jugore, “e cila ka reaguar shpejtë dhe në mënyrë efikase, por tani më e rëndësishmja është që të reagojë shpejtë dhe në mënyrë efikase edhe prokuroria”.