Kronikë

OVL e UÇK-së reagon për vrasjen e Qerim Kelmendit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së reagoi ashpër në lidhje me vrasjen e Qerim Kelmendit, trupi i të cilit u gjet në një veturë të djegur.

“Vrasja e bashkëluftëtarit tonë është një lajm shumë i dhimbshëm për ne. Kërkojmë nga organet e drejtësisë, që sa më shpejt ta zbulojnë këtë krim dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Sipas organizatës, “kur vriten luftëtarët e lirë në kohë paqe e në mënyrë makabre, vritet liria”.

“U shprehim ngushëllime familjes dhe shokëve të të ndjerit Qerim Kelmendi”, thuhet në reagim.

Vrasje të dyfishtë të lirisë së popullit të Kosovës e ka quajtur kryetari i OVL-UÇK-së vrasjen e Qerim Kelmendit.

Ish-luftëtari i UÇK-së dyshohet se është vrarë e pastaj djegur mëngjesin e sotëm në Zahaq të Pejës.

Hysni Gucati kërkon nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të zbardhet ky rast, teksa shpreh dyshimet se vrasja mund të jetë kryer nga sigurimet e huaja.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për KosovaPress thotë se ndihet i trishtuar nga ky lajm.

“Ne e kemi pritur shumë keq këtë vrasje, e cila na ka tronditur. Ne kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës, drejtësia, policia dhe gjithë akterët në Kosovë që sa më shpejt të zbulohet ky akt makabër. Në vendet demokratike kur vritet një veteran i Ushtrisë Çliri mtare të Kosovës, vritet edhe liria e atij populli. Se po të mos ishte lufta e UÇK-së, mos të ishin këta djem që e kanë udhëhequr luftën si Qerim Kelmendi, edhe shumë shokë të tij në krye me komandantin Adem Jasharin, ne sot nuk do të ishim këtu”, tha Gucati.


Ibrahim Kelmendi, vëllai i të vrarit në Pejë, Qerim Kelmendit, ka reaguar të enjten.

Ibrahim Kelmendi është anëtar i ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës. Përmes llogarisë së tij në Facebook, ai ka postuar një fotografi të të vëllait të tij, tashmë të ndjerë, me përshkrimin: “Festoni rugovistë ‘pacifistë’… Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse!”, raporton Koha.net, duke e konfirmuar në esencë se trupi i pajetë i gjetur është i Qerim Kelmendit.

Emri i Qerim Kelmendit, trupi i pajetë i të cilit është gjetur i djegur brenda një veture të shkrumbuar, është përfolur lidhur me vrasjes e pasluftës në Kosovë.