Kronikë

Apeli çon në burg Tolajn dhe pesë zyrtarë të tjerë për rastin e asgjësimit të barnave pa afat

Gjykata e Apelit ka ndërruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila kishte liruar nga akuzat për korrupsion gjashtë zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë e Ministrisë së Mjedisit.

Rreth dy vjet me parë Gjykata në Prishtinë pati liruar të gjithë të akuzuarit për korrupsion nga përgjegjësia penale.

Apeli ka ndryshuar aktgjykim.

Ish-sekretari i MSh-së, Ilir Tolaj është dënuar nga Apeli me 3 vet burg.

Bekim Fusha, që për kohën kur është akuzuar ka qenë shef i departamentit farmaceutik në MSh, është dënuar me 2 vjet e 4 muaj.

Zenel Kuçi, që ka qenë menaxher i prokurimit në MSh në atë kohë, është dënuar me 2 vjet e 8 muaj.

Aktgjykim dënues ka edhe për tre inspektoret.

Valentina Haxhijaj, Florije Tahiri dhe Remzije Thaqit sipas komunikatës se Gjykatës se Apelit janë dënuar me nga 6 muaj burgim me kusht, në periudhe verifikuese prej një viti.

Të tre këto zyrtare janë përfshirë në aktakuzë në cilësinë e anëtareve në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Haxhiaj e Tahiri janë zyrtare në MMPH ndërsa Thaçi në MSh, raporton Koha.net.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Lleshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë euro. Prokuroria pretendon se të lartpërmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro. Në anën tjetër, Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi dhe Florije Tahiri akuzohen se si anëtare në Komisionin i Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të kontratës ku pretendohet se të njëjtat i kanë mundësuar kompanisë “KMI” të bëj manipulim me sasinë e barërave. Me këtë në vazhdimësi Haxhijaj, Thaçi e Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ndërkaq, Zenel Kuqi akuzohet po ashtu se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral i aneksit të Emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

Në aktakuzën e njëjtë ishin të përfshirë edhe dy biznesmenët Arian Lleshi dhe Shpend Agani, mirëpo të dy kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin special. Si rrjedhojë, gjykata kishte shpallur fajtor dy biznesmenët, duke i dënuar me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1000 euro gjobë dhe ishin detyruar t’i kthejnë 400 mijë euro shtetit.

Në të tilla raste kur Apeli ndryshon vendimin e Themelores, vendimi nuk bëhet i plotfuqishëm duke “e shndërruar” në shkallë të dytë Gjykatën Supreme. Dënimet do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit ndaj të cilit palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën Supreme.