Kronikë

Një muaj paraburgim pasi nën kërcënim të thikës vodhi arkën me para në një barnatore në Prizren

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit me iniciale L.B. nga Prizreni.

Prokuroria thotë se vendimin e ka marrë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale grabitja nga neni 317 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).

Në komunikatën për media theksohet se masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit, 03.02.2020 dhe do të zgjasë deri më datën 03.03.2020.

“Ekziston baza ligjore për caktimin e paraburgimit, nga neni 187 par.1 nën par 1.2., pika 1.2.3, të KPPRK-së, sepse me datë 11.01.2020, rreth orës 23:30 minuta, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes tyre me përdorim të kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë dhe atë nga e dëmtuara me iniciale S.Q., e cila ka qenë në orar të punës duke punuar në barnatore “ASPIRIN-C”, në Prizren, në atë mënyrë që shfrytëzojnë momentin e volitshëm kur në barnatore nuk ka pasur njerëz, hyjnë brenda ku i pandehuri me iniciale B.G., kishte të vendosur një palë syze të zeza dhe një kapelë, ndërsa i pandehuri me iniciale L.B., kishte vendosur një shallë deri tek gjysma e fytyrës si dhe një kapelë dhe kur i afrohen shitëses i pandehuri me iniciale B. e nxjerrë një brisk dhe duke e mbajtur briskun në dorë i drejtohet të njëjtës duke bërtitur “qitma kacën” ndërsa i pandehuri me iniciale L. në atë moment i ka ndalur dritat e barnatores pas kësaj ajo i jep një kuti plastike me të holla të cilën e kishte afër saj, i pandehuri me iniciale B. ka kërkuar duke bërtitur “kacën e madhe” pasi i thotë se nuk ka tjetër, i pandehuri me iniciale L.B. i drejtohet me fjalët “bjere kacën tjetër se të shpërtheva me thikë” me ç ‘rast e njëjta pas kësaj detyrohet dhe i jep atyre kasafortën ku ka pasur të holla rreth 5.000-6.000 euro”, thuhet në raportin e Prokurorisë.