Kronikë

Arrestohet grupi prej 4- personave për vjedhje në dy fshatra të Ferizajt

Foto: Ilustrim

Zyra rajonale për informim e Policisë së Ferizajt ka bërë të ditur se pas hetimeve intensive, janë identifikuar katër persona të dyshuar për kryerjen e shtatë veprave penale vjedhje e rëndë. Sipas policisë, vjedhjet kanë ndodhur gjatë këtij muaji në fshatrat Balaj e Neredime.

“Hetuesit policor gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, kanë siguruar prova të mjaftueshme lidhur me kryerjen e këtyre veprave penale. Të dyshuarit, L.G. (m/sh/k 19 vjeç), E.R. (m/sh/k 21 vjeç), F.SH. (m/sh/k 20 vjeç ) dhe një person i mitur, në bashkëveprim, me forcë kanë depërtuar në shtëpitë dhe lokalet e viktimave duke vjedhur mjete të ndryshme pune, amvisërie, një pushkë gjuetie etj.”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas komunikatës, gjatë hetimeve janë gjetur dhe konfiskuar sendet e vjedhura, të cilat pas përfundimit të procedurave ligjore do t`u kthehen pronarëve.

“Gjatë intervistimit dhe në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprat e kryera. Ndaj tre të dyshuarve, në konsultim me prokurorin e shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari i mitur është liruar në procedurë të rregullt”, përfundon komunikata e Policisë.