Kronikë

Arrestohet një i dyshuar për djegien e një veture në Pejë

Është arrestuar dje një burrë për djegien e një veture në Pejë më 4 janar 2020, bën të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Me datën 4 janar 2020, rreth orës 20:30, në rrugën ‘Ndue Bytyqi’ në Pejë, një veturë që gjendej në parking ishte kapluar nga zjarri. Njësitë policore menjëherë kanë reaguar në vendngjarje, së bashku me njësitin e zjarrfikësve, për të ndërmarrë veprimet e nevojshme, lokalizimin e zjarrit dhe shikimin e vendit të ngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se hetuesit rajonalë DRP Pejë, kanë ndërmarrë veprime hetimore intensive për të zbuluar të gjitha rrethanat e zjarrvënies dhe kryesin e mundshëm të kësaj vepre, ku me datën 14 janar 2020 është arritur të arrestohet i dyshuari D. G. (1983) m/sh/k.

Me aktvendim mbi ndalimin, të lëshuar nga prokurori i shtetit, i dyshuari ndalohet për 48 orë në lokalet e ndalimit pranë stacionit policor në Pejë.