Kronikë

Kthehet në paraburgim Hoti i cili kërcënoi me vrasje Albin Kurtin

Ish-kandidatit për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hotit, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Kjo pasi i njëjti përmes një postimi në Facebook e ka kërcënuar me vrasje liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net, zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Është aprovuar ankesa e Prokurorisë pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Të pandehurit në fjalë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”, ka thënë Jashari.

Ai ishte arrestuar më 28 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës, pasi përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.