Kronikë

Në Gjakovë arrestohet një i dyshuar për fajde

Foto: Koha / ilustrim

Policia e Kosovës konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, me datë 19 dhjetor 2019 ka arrestuar personin e dyshuar L.H 1989 për veprën penale “Fajde”.

Sipas njoftimit për media, pas pranimit të informacioneve për fajde, Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë ka zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në mënyrë që të bëjë grumbullimin e provave materiale që argumentojnë veprën penale për të cilën dyshohej se e ka kryer personi i dyshuar.

“Me urdhëresë të gjykatës, pas zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit fotografik ose me video, personi i dyshuar është zënë në flagrancë duke pranuar një shumë të parave prej 460 euro të fajdesë, nga viktima e rastit. Pas këtij veprimi, i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës ku përveç arrestimit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e të njëjtit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një laptop dhe një pasaportë”, thuhet tutje në njoftim.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori, ku me urdhër të tij, të dyshuarit të lartëcekur pas intervistimit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.