Kronikë

Fati i të akuzuarve në rastin “Pronto” vendoset në fillim të 2020-s

Descriptive Text

Në seancën ku pritej që të jepeshin fjalët përfundimtare të palëve për aktakuzën e njohur si rasti “Pronto”, prokurorja speciale Drita Hajdari, që e përfaqëson këtë lëndë, ka zgjedhur që të ndryshojë aktakuzën. Kjo ka bërë që seanca e fundit në këtë rast të shtyhet për fund të muajit dhjetor. Rrjedhimisht trupi gjykues pritet të marrë vendimin përfundimtar rreth rastit brenda muajit janar të vitit të ardhshëm.

Prokurorja Hajdari ka thënë se e ndryshon dispozitivin e pikës së katërt të aktakuzës. Në këtë pikë të akuzuar janë ish-deputetit i PDK-së, Adem Grabovci, e ish-ministri Besim Beqaj. Ndryshimi i aktakuzës në ditën kur pritej të mbahej seanca e fundit ka shtyrë avokatët e të akuzuarve Grabovci e Beqaj të rikthejnë dëshmitarët në këtë gjykim, shkruan sot Koha Ditore.

Avokati Besnik Berisha, që e përfaqëson të akuzuarin Besim Beqaj, dhe avokati Florent Latifaj, që është mbrojtës i të akuzuarit Adem Grabovci, ndryshimit të aktakuzës i janë përgjigjur me propozim për dëshmitarë të rinj.

Ish-ushtruesi i detyrës se kryeshefit të Telekomit, Nuredin Krasniqi, e sekretari i Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi, janë dëshmitarët e propozuar dhe trupi gjykues e ka aprovuar propozimin e tyre.

Në këtë rast penal akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Hajdari e ka arsyetuar ndryshimin e aktakuzës. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)