Kronikë

23 vjet burgim për vrasjen në Mazgit në vitin 2012

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda sot ka shpallur publikisht Aktgjykimin, PKR.nr.348/13, më të cilin i akuzuari F.K është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e tre (23) viteve, ndërsa i akuzuari M.K është liruar nga paraburgimi në mungesë të provave, njofton kumtesa nga Gjykata, transmeton Koha.net.

Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari F.K është fajtor sepse me dt.02.11.2012, rreth orës 17:30 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, pas një mosmarrëveshje pronësore-juridike lidhur me shitblerjen e patundshmërisë kishte filluar një përleshje në mes të akuzuarve M.K e F.K në njërën anë dhe të dëmtuarve A.S, S.S dhe M.M në anën tjetër, ndërkohë i akuzuari F.K kishte gjuajtur me revole të kalibrit 7.65 ku si pasojë i dëmtuari A.S kishte marr lëndime të rënda trupore, i cili nga plagët e marra në të njëjtën ditë kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me këtë veprim i akuzuari F.K ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 147 par.1,nënpar. 4 e 11 lidhur me nenin 23 të KPK-së, si dhe veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve, nga neni 328 par.2 të KPK-së.

Të akuzuarit F.K në dënimin e shqiptuar i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga dt.03.11.2012, dhe të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën së Apelit të Kosovës .