Kronikë

Kapen në Itali 2.2 tonë marijuanë, dyshohet se erdhi nga Shqipëria

Descriptive Text

Me gjithë masat e shtuara të Policisë së Shtetit, trafiku i drogës përmes Adriatikut nuk ka ndërmend të ndalet.

Një tjetër sasi e madhe droge është kapur në brigjet italiane, raporton Shqip. Guardia di Finanza ka sekuestruar natën e 17 majit një gomone me 2.2 tonë kanabis e ardhur nga Shqipëria, vlera e të cilës, nëse do të hidhej në treg, do të kapte shifrën e 22 milionë eurove.

Sekuestrimi është bërë në bregdetin e rajonit të Puljas, në plazhin Viko del Gargano. Ende nuk dihet se përse gomonia ishte braktisur pak metra larg bregut nga ana e skafistëve, të cilët mund të kenë pikasur ndonjë patrullë policore. Autoritetet italiane kanë identifikuar gomonen e ngarkuar me thasë të mëdhenj plastikë e braktisur mes shkëmbinjve, rreth 15 metra larg nga bregu.

Terreni i vështirë ka detyruar agjentët e Guardia di Finanza që të mbërrijnë me not deri te mjeti lundrues për ta tërhequr atë në drejtim të bregut. Në bordin e gomones, 8 metra të gjatë, të pajisur edhe me dy motorë të fuqishëm, autoritetet italiane kanë gjetur 57 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 2.2 tonësh.

Reparti operativ aerodetar i Barit dyshon se gomonia mund të jetë nisur nga bregdeti i Durrësit dhe për këtë, në bashkëpunim me policinë shqiptare, kanë nisur hetimin për të identifikuar autorët e trafikut.

{gallery}