Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave të cilët iu bashkuan ISIS-it

Descriptive Text

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë ndaj tre personave në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, për “Organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

Kjo prokurori njofton se e pandehura/e mitura S.S., më 19.05.2014, përmes Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, së bashku me bashkëshortin e saj G.Xh (tani i ndjerë) kanë udhëtuar për në Stamboll dhe nga aty kanë përfunduar në destinacionin e tyre në Siri, me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS (Islamic State of Iraq and the Sham) dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20.04.2019.

Me këto veprime e pandehura/mitura S.S., ka kryer veprën penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

Edhe i pandehuri L.L., 08.12.2013 me vetëdije dhe vullnet të plotë përmes Aeroportit Ndërkombëtar te Prishtinës, ka udhëtuar në drejtim të Stambollit-Turqi, nga ku pastaj ka kaluar në destinacionin e saj në Siri, gjegjësisht në zonën e konfliktit, me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS (Islamic State of Iraq and the Sham) dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më 20.04.2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, kundër M.A., për veprën penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës” nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-002.

“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura M.A., 12.07.2015, së bashku me bashkëshortin e saj B.M (tani i ndjerë) dhe fëmijën e tyre djalë të moshës 1 vit e gjysmë, me vetëdije dhe vullnet të plotë ka kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe ka përfunduar në destinacionin e saj në zonën e konfliktit në Siri, me qellim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS (Islamic State of Iraq and the Sham) dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më datë 20.04.2019”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime e pandehura M.A., ka kryer veprën penale, Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-002.