Kronikë

Aktakuzë ndaj një polici në Suharekë, ofendoi e rrahu tre persona

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër Xh. K., Komuna Suharekë, për veprat penale, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 198 paragraf 1 të KPRK-së, “ Lëndim i rëndë trupor”, nga neni 189 paragraf 1 pika 1.1., të KPRK-së, si dhe, “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 paragraf 1 pika 1.4 të KPRK-së.

“Rasti ka ndodhur më 22.08.2018, në Suharekë, ku i pandehuri Xh. K., në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdor detyrën dhe autorizimet publike, duke keqtrajtuar e fyer rëndë personalitetin e të tjerëve, këtu të dëmtuarve H.G., A.G., dhe Q. Xh nga Suhareka. Përderisa të dëmtuarit ishin duke hipur në makinën e tyre në parkingun e një restoranti, i pandehuri fillimisht iu kërkon dokumentet e identifikimit, dhe përderisa njëri prej tyre nuk e kishte me vete dokumentin, i njëjti nervozohet dhe e godet në kokë, ku pastaj të tre të dëmtuarit i hip në makinën e policisë, kështu ku edhe gjatë rrugës për në stacionin e policisë, i ofendon e i godet ata”, thuhet në njoftim.

Pas arritjes në Stacionin policor në Suharekë, i ndan në dhoma të veçanta, ku secilin prej tyre, duke i kapur për fyti, i shanë e ofendon, dhe i godet me grushte në kokë, bark dhe gjoks.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprave penale të cekura më lartë. Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prizren, Dega Malisheve, që i pandehuri Xh. K., të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë”, përfundon njoftimi.