Kronikë

Bie numri i aksidenteve në Shqipëri

Në muajin prill 2017 numërohen 150 aksidente rrugore. Në krahasim me prill 2016, numri i aksidenteve është ulur me 14,8 %. Sipas raportit të publikuar të enjten nga Instituti i Statistikave, numri i të aksidentuarve është 190 persona nga 222 që ishte një vit më parë.

Edhe si katër-mujor, raporton INSTAT-i, numri i të aksidentuarve është ulur 7,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i personave të vdekur gjatë muajit prill është 22. Krahasuar me mesataren e personave të vdekur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 1,8 %.

INSTAT raporton se aksidentet rrugore, në 91,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç.

Në prill 2017, numri të aksidentuarve për 100.000 banorë ishte afërsisht 7 persona. Krahasuar me mesataren e vitit 2016, ky numër u ul me 18,0 %.

Për hartimin e raportit INSTAT është bazuar në të dhënat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme/Drejtoria e Policisë së Shtetit.