Kronikë

Arrestohet një 61 vjeçar në Mitrovicë për uzurpim të paligjshëm të pronës publike

Foto: Policia e Kosovës / screenshot / ilustrim

Në orët e mesditës së sotme, hetuesit policorë, në kuadër të Stacionit Policor në Mitrovicë, kanë arrestuar një person të dyshuar për kryerje të veprës penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.

Policia thotë se arrestimi i të dyshuarit B. A., 61 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është bërë mbi dyshime dhe prova të siguruara për uzurpim të paligjshëm të pronës publike.

“Nga hetimet e deritanishme bëhet e ditur se autoritetet komunale në Mitrovicë me vendim përkatës dy ditë më parë të dyshuarit ia kanë larguar pengesat nga hapësira publike, por përkundër këtij vendimi i dyshuari me veprimin e tij prapë ka tentuar t’i vendosë pengesat në atë hapësirë”, thotë Policia, pa sqaruar se për çfarë prone bëhet fjalë saktësisht.

Pas procedurave intervistuese me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.