Rasti i vdekjes së 60 vjeçarit në Prishtinë klasifikohet si “Vdekje e dyshimtë” Foto: Koha / ilustrim

Rasti i vdekjes së 60 vjeçarit në Prishtinë klasifikohet si “Vdekje e dyshimtë”

16 maj 2017 14:40

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka konfirmuar rastin e vdekjes së një moshuari në Prishtinë, rast të cilin e ka cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.

“Ju njoftojmë se sot në ora 10:10, policia ka marrë informatën se në lagjen Dardania, Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes, ku policia ka hasur viktimën mashkull Sh.Sh (1957), i cili kishte ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, thuhet në njoftimin për media të PK-së, raporton Koha.net.

Hetuesit rajonalë, së bashku me hetuesit policorë të stacionit jugu, me një intensitet të shtuar menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe po bëjnë përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili nga ana e prokurorit të shtetit është klasifikuar si “Vdekje e dyshimtë”.

Po ashtu me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore për obduksion.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme