Kronikë

Një nxënës në Mitrovicë dyshohet se përdori sprej lotsjellës në klasë, 11 tjerë marrin tretman mjekësor

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme në Mitrovicë ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

“Arrestimi i të dyshuarit të mitur, nxënës i një shkolle në Mitrovicë, është bërë nga ana e hetuesve policorë, mbi dyshimet e arsyeshme dhe provat e siguruara se sot rreth orës 09:30, derisa i dyshuari ndodhej në shkollë brenda në klasën e mësimit kishte hedhur një sasi sprej ku si pasojë 11 nxënës të kësaj klase kanë kërkuar tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë”, thuhet në raportin e policisë.

Pas tretmanit të marrë në spital nxënësit janë liruar.

“Ndërsa në cilësi të provës materiale nga i dyshuari është sekuestruar spreji të cilin dyshohet se e ka përdorur”, thuhet tutje.

Pas procedurave të nevojshme intervistuese, i dyshuari është liruar për procedurë të rregullt.

“Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’”, përfundon raporti policor.