Kronikë

Arrestohet shqiptari monstrum, joshte dhe përdhunonte fëmijët

Policia greke ka vënë në pranga një shqiptar, i cili dyshohet se ka përdhunuar disa fëmijë.

Duke cituar mediat greke, ‘Gazeta Shqip’ raporton se ka rënë në pranga 49-vjeçari i rrezikshëm, i cili ishte dënuar për përdhunim të fëmijëve, por që ishte ende i lirë.

Ai është kapur në tentativë për të kthyer në Shqipëri. 49-vjeçari është përpjekur të largohet nga Greqia, por nga kontrolli i të dhënave të tij oficerët e policisë greke kanë zbuluar se ai ishte i arratisur.

Raportohet se abuzuesi shqiptar ishte në pritje të aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit, në Euboea, teksa ishte dënuar me nëntë vite e një muaj burg për përdhunim dhe joshje të fëmijëve.

Ndërkohë, edhe më herët Gjykata Penale e Thebës e ka dënuar 49-vjeçarin me dy vite burg për armëmbajtje pa leje. Menjëherë pas arrestimit, Prokuroria e Janinës ka urdhëruar dërgimin e shqiptarit në burgun e Stavarki për të vuajtur dënimet që rëndojnë mbi të.