Kronikë

Dy të arrestuar për organizimin e lojërave të fatit, sekuestrohen aparate e para

Foto: Koha

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në rajonin e Prizrenit, pas pranimit të informacioneve relevante për zhvillimin e veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me lojërat e fatit ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe ka sekuestruar dëshmi të ndryshme.

“Në Prizren, është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti në lokalin e tij kishte organizuar lojëra të fatit. Janë sekuestruar katër aparate dhe 1406.5 euro para të gatshme”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Ndërkaq, “Në Dragash është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti në lokalin e tij kishte organizuar lojëra të fatit. Janë sekuestruar dy aparate, dy shtëpiza kompjuteri dhe 2987.85 euro para të gatshme”.

Policia thotë se pas realizimit të proceduarve nga Policia, janë iniciuar rastet “organizim i skemave dhe bixhozit të paligjshëm” dhe dy të dyshuarit e arrestuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe inkurajon të gjithë qytetarët që çdo informacion lidhur me ndonjë veprimtari të kundërligjshme ta ndajnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që në bashkëpunim të reduktohen apo të ndalohen veprimtaritë e tilla”, thuhet në njoftim.