Kronikë

Të arrestuarit për rastin e vrasjes në Lagjen e Spitalit, kishin edhe më herët konflikt

Dy personat e përfshirë në përleshjen e armatosur të së enjtes në Prishtinë, vazhdojnë të marrin mjekim intensiv në QKUK.

Sipas drejtorit të Klinikës Intenzive gjendja e tyre është stabile.

Të lënduarit janë G. Rafuna dhe F. Rafuna. Siç merr vesh KTV-ja, G. Rafuna nuk ishte i përfshirë në rast, por ishte vetëm kalimtar.

Ndërkaq, F. Rafuna bashkë me N. Mehmetin dhe M. Mehmetin janë të dyshuar, për të cilët është bërë edhe kërkesa për paraburgim nga ana e Prokurorisë.

Ndaj F. Rafuna rëndon akuza për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërkaq ndaj dy familjarëve Mehmeti, akuzë për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Këtë e ka konfirmuar edhe avokati i N. Mehmetit, Skender Musa.

Të afërmit e familjeve nuk kanë dashur të flasin për rastin dhe për atë se çka çoi deri tek acarimi i marrëdhënieve mes dy palëve.

Kohavisioni mëson se dy familjet për shumë gjatë kishin edhe miqësi mes vete, mirëpo, deri te vrasja, erdhi vetëm për shkaqe pronësore, raporton KTV.

Ndërkaq, më tutje, burime brenda Prokurorisë i tregojnë televizionit se dy familjet edhe më herët kishin pasur një konflikt, i cili ishte paraqitur edhe në polici.

Por, sipas burimit, asnjëherë nuk është konsideruar se mund të çojë edhe në përleshje me armë mes tyre.

KTV-ja po ashtu ka arritur të sigurojë informacione edhe se F. Rafuna ishte personi që ka nxitur përleshjen.

Nga përleshja me armë u prekën familjet Rafuna dhe Mehmeti. Nga një anëtar i secilës familje mbeti i vdekur.