Kronikë

Gjykata dënon dy të akuzuar për posedim të narkotikëve dhe shitje ilegale nga Shqipëria në Kosovë

Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin dënues kundër të akuzuarve F. Sh. dhe A. I. për veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të kryer në bashkëkryerje ndërsa për të akuzuarin F. Sh. edhe për veprën penale, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” të Kodit Penal të Kosovës (Kodi i vjetër në fuqi deri më datë 14 prill 2019).

Të akuzuarit janë fajtor sepse me datë 26 dhjetor 2019, rreth orës 21:30 minuta, në pikën kufitare “Qafë Morinë” - Gjakovë, saktësisht në fshatin Morinë, pa autorizim kanë importuar substancë narkotike e llojit “marihuanë” nga Republika e Shqipëria për në Republikën e Kosovë.

“Me këto veprime të akuzuarit F. Sh. dhe A. I. kanë kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa i akuzuari F. Sh. shtetas i Republikës së Shqipërisë, ka kryer edhe veprën penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare””, thuhet në njoftim.

Trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues për të akuzuarit F. Sh., duke i shqiptuar dënim unik për dy veprat penale që i vihen në barrë prej 8 muaj burgim dhe gjobë në shumën prej 550 euro, ndërsa për të akuzuarin A. I. dënim prej 7 muaj burgim dhe 300 euro gjobë.

“Të pandehurit janë obliguar që të paguajnë shpenzimet procedurale veç e veç në shumën prej 25 euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej 25 euro si dhe shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit”, thuhet tutje.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.