Kronikë

Një muaj paraburgim babait që rrahu vajzën e tij në fshatin Korishë

Foto: Koha / ilustrim

Një muaj paraburgim është caktuar ndaj të pandehurit me inicialet A.B nga fshati Korishë, që ushtroi dhunë fizike ndaj vajzës së tij.

“Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit me iniciale A.B. nga fshati Korishë, Komuna e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor”, njofton gjykata.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 09.08.2019, nga ora 02:45, dhe do të zgjasë deri më datën 08.09.2019.

“Më datë 09.08.2019, rreth orës 01.05, në fshatin Korishë – Komuna e Prizrenit, saktësisht në shtëpinë e tyre familjare, i pandehuri me iniciale A.B. kryen dhunë ose keqtrajtim fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare, saktësisht ndaj të dëmtuarës – vajzës së tij. Pas një mosmarrëveshje familjare e sulmon fizikisht të dëmtuarën, ku edhe i shkakton lëndime trupore, lëndime këto të përshkruar në raportin mjekësor. Pasi që kryerësi i kësaj vepre penale ka të regjistruar edhe incidente kriminale të kësaj natyre, tregon rrezikun e përsëritjes së veprës penale, andaj gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit”, thuhet në raport.