Kronikë

Prokuroria do një muaj paraburgim për vëllezërit që vranë grabitësin, hetimet vazhdojnë

Foto: Koha

Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për dy vëllezërit Nrecaj, që mbytën njërin prej katër grabitësve që u kishin hyrë në shtëpi, për t’ua marrë më shumë se 20 mijë franga.

Prokurori Shukri Jashari ka konfrimuar për KTV-në se ka kërkuar një muaj paraburgim për A.Nrecaj dhe N.Nrecaj në shtëpinë e të cilëve ndodhi një ditë më parë grabitja.

Lexo edhe: I vrari gjatë vjedhjes në Shtime dyshohet se është djali i një zyrtari policor

Ai ka thënë se mbrëmë, me urdhër të prokurorisë është bastistë një lokacion në Prishtinë, por që nuk është gjetur asgjë.

Ai me tutje ka thënë se po vazhdojnë me intensitet të shtuar hetimet në gjetjen dhe identifikimin e tre personave të tjerë.

4 grabitës i mësyjnë shtëpisë së mërgimtarit, e plagosin, ai dhe vëllai i tij e vrasin njërin prej tyre

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dërguar një njoftim për media, ku bën me dije se sot, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy personave të pandehur, A.N., dhe N.N., të cilët gjenden në ndalim që nga data 07.08.2019.

Dy vëllezërit Nrecaj grabitësin e vranë me thikë

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 07 Gusht 2019, rreth orës 03:20, të pandehurit me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F.G., i cili paraprakisht, së bashku me një person tjetër, tani për tani i panjohur, kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me t’i vërejtur i pandehuri, fillon të përleshet fizikisht me ta, ku edhe plagoset me armë zjarri nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë të largohen nga shtëpia, ndërsa, diku pas 300 metrave, të pandehurit arrijnë që ta kapin dhe përleshen me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes, e godasin me thikë në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F.G., mbetet i vdekur, me të cilën në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale ‘Vrasje’ nga neni 172 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.