Kronikë

Arrestohet 48 vjeçari për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë farmaceutike

Descriptive Text

Një person është arrestuar pasi dyshohet se është përfshirë në veprat penale ‘ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë farmaceutike’, ‘shmangie nga tatimi’ dhe ‘mashtrim’.

Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, më 26.07.2019 ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, për urdhër kontroll të shtëpisë/banesës, të lokaleve tjera përcjellëse dhe të pronës së të dyshuarit për përfshirje në veprat penale: ‘ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’, ‘shmangie nga tatimi’ dhe ‘mashtrim’.

Policia nën dyshimin e konsumimit të veprave penale të lartcekura, ka arrestuar H.P 48 vjeçar.

Gjithashtu njoftohet se më 17.11.2018 është proceduar Kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Prizren, ndaj të njëjtit person. I njëjti pas lirimit nga paraburgimi ka vazhduar aktivitetin e tij të kundërligjshëm, mbi këtë bazë të dyshimeve, ku prokurori i çështjes ka lëshuar autorizim të ri që të ndërmerren veprime hetimore në mbledhjen e dëshmive.

“Sot, më 26.07.2019, gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit janë kontrolluar: pesë shtëpi banimi, tri automjete dhe një lokal përcjellës. Policia ka konfiskuar dëshmi relevante që do të përdoren në procedura të mëvonshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Pas intervistimi i dyshuari me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren është dërguar në ndalim për 48 orë.