Kronikë

Arrestohet një 67 vjeçar për fajde dhe detyrim

Një 67 vjeçar R.B është arrestuar në Prizren për veprat penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’.

Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (NJRHKEK) në Prizren, pas pranimit të një informacioni se një i dyshuar ka konsumuar elementet e veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, ka filluar hetimet dhe mbledhjen e provave për rastin.

Hetuesit policorë, kanë siguruar Urdhëresën nga Gjykata Themelore Prizren, për urdhër kontroll.

“Sot, më 18.07.2019 është zbatuar urdhëresa e gjykatës, ku në prezencë të personit të dyshuar dhe mbrojtësit të tij, në një fshat të Suharekës, është kontrolluar personi, shtëpia dhe automjeti i tij. Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dëshmi relevante të kryerjes së veprave penale ‘fajde’ dhe ‘detyrim’, dëshmi të cilat do të përdorën në procedura të mëtejme gjyqësore”, thuhet në njoftim.

Sipas kumtesës, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar edhe: një pushkë automatike AK-47, dy karikatorë të pushkës automatike, 53 copë fishekë kalibri 7.62 mm dhe një pushkë gjuetie me gjashtë fishekë.

Me aktvendim të prokurorit të rastit, i dyshuari R.B. viti i lindjes 1952, ndalohen për 48 orë në mbajtje.