Kronikë

Themelorja në Ferizaj paraburgos maqedonasin e kërkuar nga Interpoli i Zvicrës

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Ferizaj, gjegjësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.S, shtetas i Maqedonisë së Veriut, pas shkak së është duke u kërkuar në bazë të një fletarresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet e Zvicrës – kërkesë e Interpolit – për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “posedim i narkotikëve”, “dhunimi” dhe “arratisje nga burgu” në bazë të neneve të Kodit Penal të Zvicrës, të parapara edhe me atë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të dyshuar, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështjet Penale dhe Marrëveshjes mbi Ekstradimin të Qeverisë së Kosovës dhe Shtetit të Zvicrës, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej katër dhjetë (40) ditëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.