Kronikë

Operacion masiv për parandalimin e kanabisit në Shqipëri

Policia e Shqipërisë ka nisur një operacion masiv mëngjesin e sotëm në të gjithë vendin për marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni vjen në zbatim të Planit të Veprimit të ardhur nga Ministri i Brendshëm për evidentimin dhe shkatërrimin e farishteve, kubikëve që mund të kultivojnë bimë narkotike, të sekuestrimit të farave kanabis sativa.

Në operacion janë angazhuar mijëra punonjës policie në të gjithë vendin.

Në grupet e monitorimit janë përfshirë drejtues të Policisë së Shtetit si dhe të ShBA-së, ndërsa në grupet e kontrollit specialistët e policisë së zonës, patrulla të përgjithshme si dhe kryetarët e fshatrave.

Kontrollet e policisë janë përqendruar në sera, farishte, ish-depot e ushtrisë, tunele e banesa të braktisura. Policia thotë se kontrollet më pas do vijojnë në ambiente të hapura, në ambiente banesash mbi bazë informacionesh që po grumbullon policia.